Bari / Ark. Xhelal Lloncari

Nga: URBANmagnet - 2014-09-03

Shkrim nga Arkitekti Xhelal Lloncari. Të gjithë ne kemi fotografi; të vjetra dhe të reja. Të gjitha ato ruajnë në vete një kohë dhe një rrëfim. Kur i shikojmë na kthejnë në kohë, në çastin kur janë bërë dhe na flasin, rrëfejnë një tregim shumë më të gjatë se vetë çasti i “ndalur” në to. Ato tregime përveç që ringjallin kujtime, ato përcjellin te gjeneratat e reja historitë e të kaluarës, iu mundësojnë të krahasojnë kohët, të nxjerrin përfundim

-fotografitë e vjetra

Të gjithë ne kemi fotografi; të vjetra dhe të reja. Të gjitha ato ruajnë në vete një kohë dhe një rrëfim. Kur i shikojmë na kthejnë në kohë, në çastin kur janë bërë dhe na flasin, rrëfejnë një tregim shumë më të gjatë se vetë çasti i “ndalur” në to. Ato tregime përveç që ringjallin kujtime, ato përcjellin te gjeneratat e reja historitë e të kaluarës, iu mundësojnë të krahasojnë kohët, të nxjerrin përfundime të drejtpërdrejta mbi rrugën e kaluar nga të parët. Shohin qartë rrugën e tanishme dhe e imagjinojnë të ardhmen dhe në një farë mënyrë behën pjesë e kohës së kaluar; e “jetojnë” një të shkuar.
Shtëpitë tona ku jemi rritë, lagjja , qyteti që të gjitha janë “fotografi” që skalitën thellë në mendjet tona dhe bëhen udhërrëfyes bazë për perceptimin dhe konceptimin e hapësirës që na rrethon.
Prishtina si dhe qytetet tona të tjera kanë pasur, disa i kanë akoma, fotografi që rrëfenin për të kaluarën e largët dhe të afërt tonën. Ne nuk i ruajtëm ato, i “retushuam” shumicën e tyre. Kemi ndërhy në rrëfimin e qytetit, e kemi bërë konfuz dhe të paqartë. E kemi hijezuar të kaluarën, e mjegullojmë të tashmen dhe e këpusim imagjinatën për të ardhmen.
Kujdesin që e tregojmë për fotografitë personale, familjare, duhet ta kultivojmë edhe për fotografitë e qyteteve tona.

-bari

Një popull i vrarë, i plagosur, i traumatizuar në një vend politikisht të pa-përkufizuar çfarë ishim ne në Kosovën e pasluftës, kishte shumë kërkesa, shumë dëshira për mirëqenie, për një jetë më të mirë. Këto sollën deri te vërshimi i qyteteve, të ardhurit rishtas kishin nevojë për banim dhe shumë çka tjetër, mundësitë i kishin modeste kurse pushteti i ri ishte ne pozicion jo premtues për menaxhimin e situatës në këtë lami që ndrydhej nga kërkesat tjera me më shumë prioritet.

Qyteti u mbi-ndërtua, u ndërtua pa kritere të qarta urbanistike dhe arkitektonike. Pushteti me kohë arriti të bëjë frenimin e këtyre dukurive deri në një shkallë të konsiderueshme duke i dhënë fund kësaj periudhe të cilën lirishtë mund ta konsiderojmë si pasojë e luftës.
Filluan të hartohen planet zhvillimore urbanistike të gjitha qyteteve, me gjithë zbrazëtirat ligjore të cilat nuk garantojnë planifikim të suksesshëm, por sidoqoftë paraqesin një hap përpara.

Një fenomen, nga shumë që janë të pranishëm, është më brengosësi, veçanërisht për Prishtinën, mungon në tërësi vizioni për zhvillimin e tij, për ruajtjen dhe kultivimin e “fotografisë”, peizazhit urbanistik të qytetit.

Kryeqyteti shihet, perceptohet vetëm si strukturë fizike e pa shpirt. Nuk ndjejmë aspak dashuri për te. Problemet zgjidhen ose provohen të zgjidhën pasi që ato të jenë shfaqur, asgjë nuk parashikohet. Kjo është pasojë e filozofisë, e mënyrës së të menduarit për qytetin.
Bazë e veprimit urbanistik është kryesisht indi ekzistues. Qasja e tillë shpesh në vend se të ofroj zgjidhje e rëndon edhe më shumë frymëmarrjen e qytetit, problemet përkohësisht zbuten, por ato pas një kohë të shkurtër rëndohen edhe më, mbesin kronike. Qytetet tona e kanë vuajtur për gjysmë shekulli mënyrën e tillë të planifikimit. Mbi indin urbanistik të trashëguar u veprua pas luftës së dytë botërore. U “modernizuan” qytetet u zgjeruan rrugët në po ato shtigje që ishin më parë. Tash e bëjmë të njëjtën gjë.

Ndërtimet e reja të objekteve institucionale dhe kulturore për të cilat ka shumë nevojë Prishtina, ose janë ndërtuar ose parashihen të ndërtohen aty ku është “zbrazët”. Kjo mënyrë edhe pse e “planifikuar” nuk ofron zgjidhje përveç strehimit të zyrtarëve gjatë orarit të punës. Objektet e tilla humbin nga karakteri, roli i tyre në shoqëri dhe hierarkinë hapësinore dhe si të tilla shkaktojnë stres urban, për shkak të largësive të mëdha në mes objekteve që për nga funksioni duhen të jenë afër njëra tjetrës. Në aspektin urbanistik këto zhvillime më shumë i ngjasojnë barit i cili mbin në çdo plasë dhe çdo vend të “zbrazët” se sa një planifikimi që rezulton me një qytetet funksional dhe mbi të gjitha frymëzues për gjeneratat e tashme dhe të ardhme.

Objektet e karakterit publik, administrativ dhe kulturor duhen të ngritën aty ku e kanë vendin e jo atje ku është zbrazët. Prishtina duhet ta paguaj koston e lartë të ngastrave për këto objekte po deshëm ta bëjmë qytet!

-akulli i pa ngrirë

Shikimi. Ecim rrugëve të Prishtinës (ecim tingëllon bukur, s`di ndonjë term tjetër për këtë aktivitet të domosdoshëm të njeriut, për kalimin e një distance në këmbë, e që është i ndërthurur me kërcime, kapërcime, shtyrje, fërkime, përdredhje këmbësh, ndrydhje në mes të metalit dhe betonit) e gjuajmë shikimin, ose tretët vetë, gjithandej dhe thuajse nuk shohim asgjë. Asgjë nuk na pengon. Jemi plotësisht të pa interesuar, të topitur ndjenjash. Pyes veten, a është kjo indiferencë nevojë për të mbijetuar apo luks që na zhvesh tërësisht nga humanizmi?

-te berberi

Arkitekturë e mjerimit apo mjerim i arkitekturës? Ky mendim me vërtitet në kokë tek sa shikoj objektet e reja të cilat janë ngritur në dekadën e fundit. Që të gjitha pothuajse janë veshur me llamarinë, me xhama lloj-lloj bojnash, me lloj-lloj kulmesh; që të gjitha janë të fryra deri në cepat e skajshme të parcelës, kanë maksimumin e përkohshëm të kateve, sepse pikën mbi “I” të mrekullive tona ia venë “përfundimet” e shumë objekteve të reja. Ato “përfundojnë” me ankera për vazhdimin e ndërtimit në një kohë të ardhshme. Këto ankera kanë trajta të ndryshme: të padukshme, të dukshme e bile-bile ndonjëherë kanë trajtim arkitektonik, u jepen forma kompozicionale.

Një ditë duke shkuar te berberi provoja disi ta kuptoja këtë agresivitet potencial për t`ia shqyer barkun akoma qiellit mbi qytetin tonë. Me tu ulur për ta pritur radhën dora me shkoi mbi një revistë që fliste për gjendjen e teatrove në botë, kujtoi se aty e gjeta edhe përgjigjen për aktualitetin arkitektonik që po e jetojmë. E shfletova.
SethBaumrin, nuk kisha dëgjuar për te kurrë për çka më erdhi keq , e që ishte Kryesues i Arteve Teatrore dhe të Komunikimit në Kolegjin JohnJai të Drejtësisë Penale. Është regjisor, historian i teatrit dhe autor i shumë shkrimeve mbi teatrin në tërë botën. Në fundin e vështrimit që e lexova Baumrin shkruan : “Do të më pëlqente të isha në gjendje t`i dërgoja studentët e Shteteve të Bashkuara, në shtetet ku nuk do të kishin një ide shumë të qartë të asaj se çka kanë përjetuar njerëzit në dhjetë vjetët e fundit, njëzet vjetët e fundit apo edhe në njëqind vjetët e fundit. Andaj ju thërras të gjithëve që të më bashkoheni në përpjekjen për ta themeluar dhe ushqyer Institutin për Krime Kulturore.”

Unë jam : Për.

Arkitekt, Xhelal Lloncar /profesor në FNA-Arkitekturë

P

rodukte

L

ajmet më të lexuara

Fillon projektimi i Autostradës së Dukagjinit

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, sot nënshkroi kontratën për hartimin e projektit zbatues për ndërtimin e autostradës Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë – Prizren, në gjatësi 91 kilometra.

Top 10 softuerët e arkitekturës dhe inxhinierisë

Arkitektëve, inxhinierëve dhe dizajnerëve të ndryshëm tashmë puna u është lehtësuar. Ky lehtësim vjen si pasojë e përdorimit të softuerëve të modelimit 3D, që mundësojnë krijimin e një përmbledhje të një ndërtese ose paraqitjen e shpejtë të ideve të reja të projektimit.

Arkitektura nuk është veç profesion, por është edhe mision

Profesori i Arkitekturës në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, Xhelal Llonçari, ka thënë për Ndërtimi.info se arkitektura nuk është vetëm profesion – porse është edhe mision.