Georgi Konstantinovski mban ligjerat në Modelarium

Nga: URBANmagnet - 2015-04-08

Arkitekti Maqedonas Georgi Konstantinovski mban ligjerat në Modelarium të Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë. Projektuesi i Ndërtesës së Rilindjes tha që nuk e njohu objektin e vet, që e kishte projektuar para 4 dekadave.

NGO "Urbaniak" së bashku me Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës dhe Katedra e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapesinor në FNA - Arkitekturë organizuan ligjëratë me Arkitektin e mirënjohur Maqedonas Georgi Konstantinovsi, projektuesin e Ndërtesës së Rilindjes në Prishtinë.

Më shumë se katër dekada pas projektimit, Konstatinovski do të qëndronte përballë këtij objekti. Iu deshën pak sekonda për ta kuptuar se po sheh atë që ai ia kishte dhënë formën në letër.

“Oh, po ky është objekti im”, kishte thënë arkitekti maqedonas Georgi Konstantinovski, teksa kishte vizituar objektin e ish-pallatit të shtypit “Rilindja”. Ndjesia që iu krijua nuk ishte negative. “Por objekti të cilin e kam projektuar nuk është ai të cilin po e shoh”, kishte thënë arkitekti.

Ish-Pallati i Shtypit mori krejt pamje tjetër pas rinovimit që u inaugurua në nëntor të 2009-s dhe prej atëherë aty u futën institucionet shtetërore.

“Ndërhyrjet që janë bërë në këtë objekt e kanë fshirë një pjesë të historisë”, ka thënë Konstantinovski të martën në një ligjëratë që ka mbajtur në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës me ftesë të organizatës joqeveritare “Urbaniak” së bashku më Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës dhe Katedrën e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor. transmeton koha.net

Ai ka shpalosur disa prej projekteve më të njohura të tij, të realizuara që nga viti 1966. Një vit para se të realizonte projektin e parë, magjistroi në Universitetin e Yale në ShBA. Në fillim të karrierës, projektet e tij u cilësuan si pjesë e brutalizmit, një lëvizje arkitekturore prej viteve ‘50 deri në vitet ’70 që s’ka të bëjë me brutalitetin, por që shquhej me mure masive. Në vitin 1971 do të projektonte ish-pallatin shtypit “Rilindja”.

“Karakteristike për këtë objekt ka qenë që në detaje - si trekëndëshi në fasadë - kanë qenë të vendosura instalimet. Ventilimi i objektit është bërë përmes detajeve, kutive”, ka thënë Konstantinovski, teksa në ekranin prapa tij janë shfaqur pamje të objektit të ish-“Rilindjes”. Ai ka thënë se ideja e ventilimit nuk ka qenë e tij, por e ka huazuar nga arkitekti amerikan Paul Rudolph, prej të cilit ka marrë mësime sa ishte në ShBA njashtu sikurse edhe prej Serge Chermayeffit, arkitekt britanik me prejardhje ruse.

“Tash e shihni se si ka ndryshuar. Është veshur, i është humbur rëndësia, pesha e historisë, arkitektura moderne e viteve ’70. Më pengon sepse është fshirë një pjesë e historisë”, ka thënë Konstantinovski, për objektin ideja e ndërtimit të të cilin u hodh në vitet ’60 e u përfundua tërësisht më 1978. Objekti ka 18 kate, dhe sipërfaqe prej 50 mijë metrash katrorë. Prej vitit 2002 kur u dëbuan nga ky objekt, ish-punonjësit e “Rilindjes” kërkojnë 20-përqindëshin e këtij objekti. Për rinovim u derdhën nga Qeveria e Kosovës rreth 15 milionë euro.

“Nëse ka pasur nevojë për një ndërtesë të tillë administrative, Qeveria e Kosovës është dashur të zgjedhë një lokacion të ri dhe të ndërtojë një objekt me kërkesa të tjera e ky të ruhej sepse përbën historinë, shpirtin e vendit, shpirtin e Prishtinës”, ka thënë Konstantinovski, tek ka treguar se si bashkë me objektin e tij, ka ndryshuar edhe Prishtina.

Prishtinës - të cilën e vizitoi pas disa viteve - ka thënë se i ka mbetur pak nga qyteti që ai kujton.

“Ka arkitekturë moderne dhe bashkëkohore dhe kjo më gëzon. Nuk e di se si funksionon urbanizmi sepse kjo është e meta kryesore e Ballkanit në përgjithësi. Ka objekte të veçanta, bukuria e të cilëve më bën të më rrëqethet trupi e kjo do të thotë se ka edhe arkitektë të mirë”, ka thënë Konstantinovski (85) i cili diplomoi në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Shkupit në vitin 1956. Por kjo nuk mjafton.

“Identiteti i Prishtinës është i humbur tërësisht”, ka thënë ai. Të njëjtin mendim ka edhe për Shkupin. Nuk pajtohet me projektin “Shkupi 2014” i cili ka shndërruar qytetin në një arenë shtatoresh.

“Me këto marrëzira që kanë ndodhur në qytet, me veshjet e fasadave që ia kanë bërë, edhe Shkupi e ka humbur identitetin. Madje mund të them se e ka humbur më shumë sesa Prishtina. Rrugët kanë humbur identitetin me veshjen e fasadave në stilin e barokut”, ka thënë Konstantinovski, i cili gjatë karrierës së tij ka realizuar më shumë se 450 projekte arkitektonike dhe urbanistike. Ai është shpërblyer me çmimin më të madh arkitektural në ish-Jugosllavi e ashtu ka marrë tre “Grand Prix” në Bienalen e Arkitekturës në Maqedoni. Mori edhe çmimin "Andrea Damjanov" për arritje jetësore. Konstantinovski po ashtu ka qenë edhe profesor në Fakultetin e Arkitekturës në Shkup deri në pensionim. Prandaj të martën ai shfrytëzoi rastin që të ndajë përvojën e tij me studentët kosovarë.

Tek ka prezantuar Shtëpinë Përkujtimore në fshatin Razlovci, të cilën e projektoi në vitin 1979, ai ka këshilluar studentët.

“Më e rëndësishmja është që së pari të vizitohet lokacioni. Duhet ta përjetoni se si do inkorporohet në ambient objekti që projektoni”, ka thënë Konstantinovski, tek ka treguar për vizitën që i kishte bërë këtij fshati të braktisur i cili ishte i mbushur me objekte të vjetra. “Pjesa e parë që pashë ishte se shtëpitë në atë fshat kishin oxhakun të ngjitur në fasadë nga pjesa e jashtme. Më pas vendosa ta skicoj”, ka shtuar ai.

Një tjetër projekt i madh i tij është edhe konvikti i studentëve “Goce Delcev” në Shkup. Por sot, ky objekt nuk është ruajtur dhe brenda ka ndryshuar. Po ashtu edhe Instituti i Semiologjisë, të cilin e projektoi në vitin 1978, shfrytëzohet për të tjera qëllime. Ky objekt shtrihet në tri pavijone. Në njërin tani është e vendosur Ambasada e Francës, në tjetrin bllok është vendosur ajo e Britanisë e në bllokun e fundit është Instituti.

Objektet e Konstantinovskit janë të ndryshme, por që, sipas tij, kanë një detaj që i veçon.

“Në pjesën e sipërme të objektit hyn drita. Këtë do ta përjetoni pothuajse tek të gjitha objektet që kam projektuar për shkak se përdor të njëjtin element të ndriçimit nga sipër, sepse dëshiroj që hapësirat të ndriçohen mirë e njeriu ta ndiejë veten mirë dhe të mos ketë harxhime shtesë për ndriçimin e objektin në mënyrë artificiale”, ka thënë Konstantinovski./URBANmag.net

P

rodukte

L

ajmet më të lexuara

Fillon projektimi i Autostradës së Dukagjinit

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, sot nënshkroi kontratën për hartimin e projektit zbatues për ndërtimin e autostradës Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë – Prizren, në gjatësi 91 kilometra.

Top 10 softuerët e arkitekturës dhe inxhinierisë

Arkitektëve, inxhinierëve dhe dizajnerëve të ndryshëm tashmë puna u është lehtësuar. Ky lehtësim vjen si pasojë e përdorimit të softuerëve të modelimit 3D, që mundësojnë krijimin e një përmbledhje të një ndërtese ose paraqitjen e shpejtë të ideve të reja të projektimit.

Arkitektura nuk është veç profesion, por është edhe mision

Profesori i Arkitekturës në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, Xhelal Llonçari, ka thënë për Ndërtimi.info se arkitektura nuk është vetëm profesion – porse është edhe mision.