Punëtoritë e ECOWEEK Prishtina 2015 (27Shtator - 04Tetor)

Nga: Ecoweek Prishtina - 2015-09-22

ECOWEEK Prishtina 2015 prezanton programin e punëtorive të saj. Aplikimet për këto punëtori janë mbyllur tashmë, dhe me kënaqësi njoftojmë se prej aplikimeve të shumta, stafi ka përgjedhur një numër të konsiderueshëm, prej rreth 90 studentësh dhe arkitektësh të rinj. Më poshtë gjeni dhe përshkrimet përkatëse të këtyre punëtorive.

W1 – Projektimi i një shtëpie ekologjike në Kosovë
Tutorë: Gëzim Paçarizi, Arnisa Kryeziu, Brixhita Deda

Në një lagje të caktuar të Prishtinës, studentët e kësaj punëtorie, do të projektojnë një shtëpi ekologjike, për një familje tipike me 4-6 anëtarë. Shtëpia duhet të ketë identitetin e vet, të shprehur nëpërmjet formës dhe duke iu përshtatur sa më mirë kontekstit lokal, si dhe raportit me natyrën e kushtet ambjentale. Propozimet duhet të konceptohen në harmoni me elementet e natyrës e të formësohen me materiale ekologjike lokale (prodhimi dhe shkatërrimi i të cilave nuk cënon ambjentin).
Punëtoria synon, që pjesëmarrjësve t’ju japë një përvojë konkrete në projektim. Zhvillimi i idesë së projektit do të bëhet përmes një proçesi të shpejtë, por të sistemuar, të organizuar dhe llogjik. Kandidatët duhet të largohen me një përvojë të dobishme për karrierën e mëtejshme profesionale.


W2 - Ndërhyrje Sociale/ Pasive/Radikale
Tutorë: Ajhan Bajmaku, Fitore Koja-Isufi, Miran Mohar

Tema e kësaj punëtorie do të jetë qyteti i Prishtinës, situata e saj urbane dhe arkitektonike. Studentët do të zbulojnë vitalitetin e zgjidhjeve, që kanë realizuar qytetarët në varësi të kushteve paraprake të qytetit. Do vërehet raporti i ndërtesave të reja e të vjetra, duke shkuar përtej estetikës në kuptimin e “shijes së mirë”. Përkundër problemeve të shumta në planifikimin urban, përqëndrimi do të jetë në anën pozitive të proçeseve të urbanizimit të qytetit, ku shumë forca dhe interesa takohen në një përplasje dramatike. Studentët do të dokumentojnë propozimet e rastësishme, me vlerë, të cilat shpesh fshihen në ndërtimet informale të mbuluara nga “shëmtia kaotike”. Banorët e qytetit janë përcaktuesit e parë të nevojave të tij, prandaj dhe informaliteti i tyre, mund të jetë përcaktues i arkitekturës së të ardhmes. Punëtoria do të eksplorojë qytetin, për të analizuar dhe gjetur se çfarë duan e kërkojnë qytetarët e Prishtinës; kërkesa që arkitektët e planifikuesit urbanë duhet të kenë parasysh gjatë proçesit të projektimit.


W3 – Projektimi i një qendre informative në Parkun e Gërmisë
Tutorë: Rozafa Basha,Valentina Tahirsylaj

Në vendin ku sot gjendet laura e hyrjes në Parkun e Gërmisë, do të projektohet një godinë minimale administrative. Pozita dhe rëndësia e objektit shtron kërkesa dhe kufizime arkitektonike dhe ambientale, që do të identifikohen dhe plotësohen me theks në parimet “eco” –logjike. Qëllimi është, që kandidatët të japin propozime të zgjidhjeve të qëndrueshme, me materiale lokale, duke gjykuar mbi kushtet që ofron lokacioni. Është me rëndësi qasja urbane, sociale dhe arkitektonike, duke e gërshetuar me filozofinë e të projektuarit “gjelbër”, që propozimi i objektit të ketë impakt të madh në komunitet.


W4 - Muralet dhe Qëndrueshmëria
Tutorë: Taki / Taulant Qerkini, Jetik Doli

Kjo punëtori do të mbledhë artistë lokalë, studentë, profesionistë të rinj dhe komunitetin, për të punuar drejt një vizioni për një qytet më të qëndrueshëm, duke i vënë prioritet çështjeve të mjedisit. Punëtoria realizon një mural, të quajtur "Vendi ka nevojë për gjethe". Ky do të jetë mbjellja e parë artistike në Prishtinë, që hap rrugën për shumë punime tjera, të cilat do të reflektojnë vetëdijësim për një të ardhme ekologjike. Murali do të mbulojë 70% të hapësirës së brendshme të nënkalimit, që gjendet te rrethi në hyrje/dalje të Prishtinës. Sipërfaqja murale prej 113m gjatësi e 5m lartësi, do të mbushet gjatë gjithë javës, pak e nga pak, me një kurorë të zgjatur gjethesh. Projekti është konceptuar vetëm me dy ngjyra, për të kontrastuar betonin bruto të këtij nënkalimi. Gjethet përshkojnë të gjithë murin në drejtim gjatësor, në mënyrë që vëmendja e vozitësve të automjeteve, të mos përqëndrohet në pikë të caktuara, por të rrjedhi lirshëm në lëvizje, e mesazhi i veprës të regjistrohet bashkë me këtë lëvizje.


W5 - UP­cycling Campus: Dizajnimi dhe ndërtimi i strukturave të vogla në hapësirë publike, duke përdorur materiale të ripërdorshme
Tutorë: Elias Messinas, Teuta Jashari- Kajtazi, Elizabeta Poljoska

Kjo punëtori do të mbahet në hapësirën publike të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. Duke e marrë qëndrueshmërinë si pikënisje dhe duke e parë këtë hapësirë nga një kënd i ri, do të vërehen e studiohen njerëzit në lëvizje, njerëzit në qëndrim, dielli, era, hijet, hapësirat e mbrojtura dhe elementë të tjerë. Pas këtij observimi, përmes dizajnit dhe projektimit të strukturave të reja të lehta, me materiale të ripërdorshme, do të krijohen hapësira të reja ose do të nxirren në pah hapësira të tjera. Nëpërmjet këtyre strukturave, në përpjesë të ndryshme, kampusi do të ri-projektohet, duke ofruar hapësira të reja për hyrje, dalje, pushim, takim, bisedim, pritje, hulumtim në rrjet, për t’u mbrojtur nga shiu, për të shijuar diellin, hijen, flladin, pra për t’i sjellë jetë hapësirës së jashtme të këtij fakulteti.

Për informacion të mëtejshëm, vizitoni: www.ecoweek-ks.org ose www.ecoweek.org

P

rodukte

L

ajmet më të lexuara

Fillon projektimi i Autostradës së Dukagjinit

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, sot nënshkroi kontratën për hartimin e projektit zbatues për ndërtimin e autostradës Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë – Prizren, në gjatësi 91 kilometra.

Top 10 softuerët e arkitekturës dhe inxhinierisë

Arkitektëve, inxhinierëve dhe dizajnerëve të ndryshëm tashmë puna u është lehtësuar. Ky lehtësim vjen si pasojë e përdorimit të softuerëve të modelimit 3D, që mundësojnë krijimin e një përmbledhje të një ndërtese ose paraqitjen e shpejtë të ideve të reja të projektimit.

Arkitektura nuk është veç profesion, por është edhe mision

Profesori i Arkitekturës në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, Xhelal Llonçari, ka thënë për Ndërtimi.info se arkitektura nuk është vetëm profesion – porse është edhe mision.