ECOWEEK Prishtina 2015 - Dita e parë

Nga: Ecoweek Prishtina - 2015-09-29

Nisi pra, Ecoweek Prishtina 2015, paraditen e së hënës, më 28 Tetor, me prezantimin e pjesëmarrësve të punëtorive, me tutorët dhe temat e projekteve, e ndjekur me hapjen zyrtare në orën 18:00, me një kokteil e bashkim profesionistësh.

EcoWEEK Prishtina 2015, e cila po mban edicionin e dytë, paraditen e së hënës, më 28 Tetor, prezantoi pjesëmarrësit e punëtorive, me tutorët dhe temat e projekteve, dhe u ndoq me hapjen zyrtare në orën 18:00, me një kokteil e bashkim profesionistësh.

Të parat ishin përshëndetjet e Dekanit të FNA, partnerëve të këtij projekti, ndjekur nga fjalimi hyrës i themelueses së EkoWEEK Prishtina, Argjirë Krasniqi.

Paneli i folësve vazhdoi me prezantimet e disa prej të ftuarve të konferencës.

Elias Messinas, arkitekt me formim prej shkollës Yale School of Architecture dhe konsulent në ceshtjet e dizajnin ambjental, themelues i rrjetit ECOWEEK më 2005 në Athinë, Greqi, prezantoi një përmbledhje të shkurtër të filozofisë së Ecoweek dhe aktivitetit këto 10 vite.

Despoina Kouinoglou, e diplomuar në Agrikulturë dhe e specializuar në Hortikulturë e Arkitekturë të Peizazhit, përfaqësuese e Ecoweek në Thessaloniki, ndau me publikun eksperiencën e saj me Ekoweek.
Pas folësve të EKOWEEK, konferenca vijoi me arkitekten franceze Margot Clerg, e specializuar në eco-housing (banesat ekologjike), asistente e Dominique Gauzin-Müller për TERRA Award, pjesë e ekipit Studio Anna Heringer. Ajo ndau me publikun filozofinë e punën e kësaj studio, me parimin “Arkitektura është mjet për të përmirësuar jetë.”

Arkitektja prezantoi projekte të tipologjive të ndryshme, si shkollë, qendër trajnimi, banesë, muze etj, të gjitha me materiale vendore dhe projektuar sipas analizave të gjata të kërkesave të pronarëve të këtyre hapësirave. Këto ndërtesa me arkitekturë vernakulare janë dëshmia e asaj që mund të arrihet, duke patur si referencë parimet ekologjike.

Dita u përmbyll me prezantimin e Komunës së Prishtinës, nga Gyler Mydyti, një historik i planeve zhvillimire të qytetit të Prishtinës.

Java vijon me punëtoritë intensive:

W1 – Projektimi i një shtëpie ekologjike në Kosovë
Tutorë: Gëzim Paçarizi, Arnisa Kryeziu, Brixhita Deda
Studentët e kësaj punëtorie, do të projektojnë një shtëpi ekologjike, në një lagje të caktuar të Prishtinës. Grupi u mblodh në mëngjes dhe diskutuan ndarjet grupore dhe idetë e para mbi projektin dhe situacionin. Paraprakisht studentët kishin kryer një maket të lokacionit për të bërë një analizë më të mirë ambjentale. Pas pushimit të drekës, studentët e kësaj punëtorie, bashkë me tutorët, bënë një vizitë në Prizren, për të vizituar disa banesa, për t’i pasur si referencë për projektet që do zhvillojnë.

W2 - Ndërhyrje Sociale/ Pasive/Radikale
Tutorë: Ajhan Bajmaku, Fitore Koja-Isufi, Miran Mohar
Kjo punëtori trajton qytetin e Prishtinës, situatën urbane dhe arkitektonike. Studentët u takuan me tutorët dhe bënë bashkëbisedime teorike dhe filozofike mbi situatën aktuale të qytetit. Diskutimi u fokusua në informalitetin që ka sot Prishtina, dhe u fol për qëndrimet personale te secilit në grup, duke hulumtuar mbi mundësitë e zhvillimit të këtij mendimi, për të pikasur mandej, atë që është zgjidhje informale por e qëndrueshme dhe me parime lokale.

W3 – Projektimi i një qendre informative në Parkun e Gërmisë
Tutorë: Rozafa Basha,Valentina Tahirsylaj
Në hyrjen e Parkut të Gërmisë, do të projektohet një godinë minimale administrative me kushte ambjentale dhe parime ekologjike. Turorët dhe pjesëmarrësit folën mbi detyrën e projektimit, dhe pas pushimit të drekës secili prej pjesëmarrësve ndau me tutorët dhe grupin, idetë individuale mbi propozimet e mundshme të zgjidhjes.

W4 - Muralet dhe Qëndrueshmëria
Tutorë: Taki / Taulant Qerkini, Jetik Doli
Kjo punëtori do të jetë bashkëpunim dhe gërshetim me punëtorinë për kampusin e FNA. Tutorët diskutuan në grup mundësitë e ndryshme të shfaqjes së qëndrueshmërisë, në një nga muret rrethuese të fakultetit, që pastaj do gërshetohet me zgjidhjet e hapësirave që do vijnë nga punëtoria e fundit e Ecoweek.

W5 - UP­cycling Campus: Dizajnimi dhe ndërtimi i strukturave të vogla në hapësirë publike, duke përdorur materiale të ripërdorshme
Tutorë: Elias Messinas, Teuta Jashari- Kajtazi, Elizabeta Poljoska
Kjo punëtori do të mbahet në hapësirën publike të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. Duke e marrë një hapësirë të caktuar nga një kënd i ri, do të vërehen e studiohen njerëzit në lëvizje, njerëzit në qëndrim, dielli, era, hijet, hapësirat e mbrojtura dhe elementë të tjerë. Gjatë gjithë ditës pjesëmarrësit dhe tutorët hulumtuan mbi mundësitë e ndryshme të perceptimit të hapësirave. Punëtoria mori përmasa edhe më filozofike pas ndërhyrjeve miqësore dhe diskutimeve profesionale me arkitektin Jean Robert Mazaud, ligjërues në Ecoweek Prishtina 2015, i cili ndau ide, eksperienca dhe histori personale me pjesëmarrësit e tutorët, duke i frymëzuar për zgjidhje tepër të qëndrueshme.

ECOWEEK Prishtina vijon me ligjëratat e profesionistëve Jean Robert Mazaud e Nicola Delon, për shkëmbimin e ideve dhe koncepteve të qëndrueshmërisë.

Zëvendës Dekani Flamur Doli me arkitektin Jean Robert Mazaud, dhe organizatoren e Ecoweek Prishtina, Argjirë Krasniqi

Falenderojmë partnerët e ECOWEEK Prishtina 2015: Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Komuna e Prishtinës, Ambasada Franceze në Kosovë, Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS), Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ), Instituti Amerikan i Arkitektëve (AIA), Knauff, Roche, DETAIL Magazine, UbanMAG, ONUP, LightHouse Prishtina, SHARRCEM, Akull, ECOWEEK dhe Fondacioni Jeshil.

Për informacion të mëtejshëm, vizitoni: www.ecoweek-ks.org ose www.ecoweek.org

P

rodukte

L

ajmet më të lexuara

Fillon projektimi i Autostradës së Dukagjinit

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, sot nënshkroi kontratën për hartimin e projektit zbatues për ndërtimin e autostradës Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë – Prizren, në gjatësi 91 kilometra.

Top 10 softuerët e arkitekturës dhe inxhinierisë

Arkitektëve, inxhinierëve dhe dizajnerëve të ndryshëm tashmë puna u është lehtësuar. Ky lehtësim vjen si pasojë e përdorimit të softuerëve të modelimit 3D, që mundësojnë krijimin e një përmbledhje të një ndërtese ose paraqitjen e shpejtë të ideve të reja të projektimit.

Arkitektura nuk është veç profesion, por është edhe mision

Profesori i Arkitekturës në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, Xhelal Llonçari, ka thënë për Ndërtimi.info se arkitektura nuk është vetëm profesion – porse është edhe mision.