Restaurimi i kullës “Oda e Junikut”

Nga: Dr.sc. Flamur DOLI, arch. - 2012-04-24

Treva shqiptare e Kosovës ruan edhe sot një trashëgimi arkitektonike popullore me një larmi dhe përmbajtje shumë të pasur. Kjo trashëgimi popullore shqiptare paraqitet në një vazhdimësi të pandërprerë që nga parahistoria e këtej, deri në fillim të shek. XX.

Treva shqiptare e Kosovës ruan edhe sot një trashëgimi arkitektonike popullore me një larmi dhe përmbajtje shumë të pasur. Kjo trashëgimi popullore shqiptare paraqitet në një vazhdimësi të pandërprerë që nga parahistoria e këtej, deri në fillim të shek. XX. Në konteks të krijimtarisë së gjithëmbarshme të mjeshtrit popullor shqiptar veçohet edhe kulla për banim e tipit të Rrafshit të Dukagjinit.Duke u nisur nga rëndësia e madhe kulturore dhe historike e kësaj gjinie objektesh të fortifukura për banim, në kuadër të veprimtarisë për ruajtjen e monumenteve të cultures materiale në Kosovë, kohë më parë u përfundua restaurimi I pesë kullave të tipit të Rrafshit të Dukagjinit.

Projektin për restaurimin e këtyre pesë kullave e financoi Bashkësia Evropiane – Agjensia Evropiane për Rikonstruksion. Në kuadër të këtij projekti u përfshinë këto 5 kulla të tipit të Rrafshit të Dukagjinit: kulla që historikisht në popull është e njohur me emrin Kulla e Junikut apo ODA e JUNIKUT, pastaj Kulla e DEMUKAJVE në Deçanin e Vjetër, Kulla e OSËDAUTAJVE dhe Kulla e KUKËLECËVE në Isniq, si dhe kulla e Shaban GOCKËS në Pejë. Shumicën e këtyre kullave e karakterizon një histori e bujshme e të kaluarës së popullit shqiptar, i cili pa reshtur i rrezistoi shumë pushtuesve dhe luftoi për të mbijetuar dhe ruajtur qenien kombëtare. Do theksuar se, me këtë rast, një ndërmarje e këtillë në fushën e ruajtjes apo restaurimit të monumenteve të cultures shqipatre në Kosovë u ndërrmor për herë të parë. Duke e patur parasysh rëndësinë e madhe kulturo historike dhe vlerat e mëdha arkitektonike të kullës Oda e Junikut, autoti i këtij shkrimi e propozoi këtë kullë për restaurim dhe e përzgjodhi për t’ia hartuar projektin ideor dhe kryesor për Restaurimin dhe Rivitalizimin e saj.

Pra, ndër kullat e tipit të Rrafshit të Dukagjinit, me vlera të mëdha arkitektonike si dhe me një rëndësi të madhe historike, shquhet edhe kulla e Brahim HOXHËS, në popull e njohur si “Kulla e Junikut”, apo edhe si “Oda e Junikut”. Ajo u ndërtua në fillim të shek.XVIII, në Junik, më saktësisht, në mëhallën e Hoxhajve, apo siç i thonë ndryshe, në mëhallën Tërgovishtë të këtij vendbanimi. Kjo mëhallë së bashku me mëhallët e Berishës dhe Gacaferit e përfaqësojnë qendrën embrionale, përkatësisht pjesën më të vjetër të Junikut. Në këto mëhallë të banuara nga junikasit më të kamur u ndërtuan kullat më të vjetra, më të mirat, dhe njëherësh më tipiket, me tipare të mirëfillta arkitektonike. Ndër këto kulla, për shkak të rëndësisë së madhe historike dhe vlerave të mirëfillta arkitektoniko formësuese kulla “Oda e Junikut” në vitin 1982 u vu nën mbrojtje të Ligjit me vendimin nr.v.E.K.77/6/82. Mjerisht, edhepërkundër kësaj, në prill të vitit 1999, e gjithë pjesa e drunjtë e kësaj kulle u dogj. Në historikun e kësaj kulle, nuk dimë me saktësi se sa e sa herë kjo kull u dogj dhe sërish u rindërtua (meremetua).

Historiku i shkurtër i kullës

“Oda e Junikut”




Në këtë kullë, kryefamiljari, apo plaku i kullës, e ndante drejtësinë sipas kanunit të Lekë DUKAGJINIT. Prej kohës kur u trashëgua nga Avdyl HOXHA, kulla e mori emrin “Oda e Junikut”. Në të, krerët e të gjitha viseve shqiptare vinin për t’i zgjidhur mosmarveshjet, apo për të marë vendime për të mirën e popullit shqiptar. Në vijim, pa u ndalur më gjerësisht në historikun e bujshëm të kësaj kulle, të shtojmë se, ajo nuk ishte vetëm monument ku ndahej drejtësia sipas kanunit, por ishte kullë e kuvendeve dhe e besave në luftë kundër armiqëve të shqiptarëve. Ndaj, prej 21-25 maj të vitit 1912, në kullën e Avdyl HOXHËS, pra në Odën e Junikut, u mbajt Kuvendi i Junikut, ku morën pjesë 250 delegatë shqiptarë. Në këtë kullë u mor vendimi për kryengritje deri në fitore. Me një fjalë, kulla në përgjithësi, apo Oda e Junikut, ishte simbol i qëndresës dhe mbijetesës, mikëpritjes dhe burrërisë, besës e nderit shqiptar. Ajo shërbeu si vend ku u morën shumë vendime me rëndësi, aty u respektua mënyra dhe rregullimi i jetës së shqiptarëve në bazë të ligjeve tradicionale e jo sipas ligjeve të sunduesit.

Tiparet arkitektoniko formësuese

të kullës “Oda e Junikut”




Mbështetur në shtjellimin analitik të gjithë dokumentacionit teknik, përkatësisht të rilevimit arkitektonik të gjendjes burimore të kësaj kulle, vijmë në përfundime se, si nga aspekti i strukturimit funksional e hapësinor, kompozuar sipas skemës së tipizuar, po ashtu edhe nga aspekti i tipareve stilistike të ndërtimit, kulla, “Oda e Junikut” i përket mirëfilli: tipit të shtatë të kullave me dyshekllëk këndor të drunjtë me shtrirje nga ana e djathtë e ballinës. Ky përkufizim tipologjik i kullës “Oda e Junikut” është bazuar në studimin e gjithëmbarshëm të autorit, një segment i të cilit e përfshinë përkufizimin e tipave stilistik të ndërtimit të kullës shqiptare të tipit të Rrafshit të Dukagjinit. Kulla në fjalë, për shkak të karakterit specifik funksional, është e natyrshme që në kuadër të strukturimit arkitektoniko përmbajtësor dhe funksional të saj të paraqiten ca veçori.Veçoritë e kësaj kulle spikaten tek strukturimi I dispozicionit arkitektoniko funksional dhe përmbajtësor i katit më përfaqësues, katit të tretë, me ç’rast, për dallim nga kullat e tjera, përbri ambientit të odës së burrave, diktuar nga karakteri I kullës, është ndërtuar edhe një kthinë tjetër e dedikuar ekskluzivisht për qëndrimin e plakut të kullës, i cili e ndante drejtësinë sipas kanunit të Lekë Dukagjinit. Ngaqë plaku i kullës ishte një personalitet i respektuar, siç shohim nga planimetria e katit të tretë të kullës, dhoma e tij, përveçëse gjendej ngjitas me odën e burrave në të cilën ndahej drejtësia, ajo e ngërthente edhe oxhakun e vatrës. Një përmbajtje e këtillë e katit të tretë kushtëzoi përmasa më të mëdha të divanhanes. Do të thotë, me këtë rast, divanhanja shquhet me një thellësi të barabart me përmasat e dy kthinave së bashku, të shtrira njëra bri tjetrës. Kjo thellësi kaq e madhe e divanhanes, nga ana tjetër, për nevoja të ndriçimit të saj, kushtëzoi ndërtimin edhe të një dyshekllëku tjetër, përkatësisht të dyshekllëkut të gurtë, me dritare drejtkëndore. Ky dyshekllëk i gurtë, është ndërtuar në anën e pasme të kullës, apo shikuar nga brenda, përkundruall dyshekllëkut të drunjtë këndor, me përmasa më të mëdha, dhe me tipare të mirëfillta arkitektoniko formësuese. Për më tepër, njësia funksionale e divanhanes me dyshekllëk, si pjesë përbërse e katit më përfaqësues të kullës “Oda e Junikut”, në dispozicionin e saj arkitektoniko funksional e ngërthen dyshekllëkun këndor të drunjtë, pastaj, oxhakun e vogël të vatrës për pjekjen e kafesë në stinët e ngrohta si dhe baxhën e ujit. Në këtë kontekst, ndërtimi i dyshekllëkut të gurtë, përkundruall dyshekllëkut të drunjtë, paraqitet si tipar i veçantë i kësaj kulle. Më tej, divanhanja e kësaj kulle komunikon drejpërsëdrejti me odën e burrave, me odën e plakut, si dhe me nevojtoren. Nartyrisht se, në këtë kontekst, siç shohim nga planimetria e katit të tretë të kësaj kulle, oda e burrave ngërthen në vete një dispozicion arkitektoniko funksional të tipizuar. Për shkak të karakterit të veçantë të kësaj ode, në të cilën ndahej drejtësia sipas kanunit, kjo odë gjithnjë shquhej me një enterier shumë të pasur, me tipare harmonike dhe të arrira.

Kati i dytë i kësaj kulle, përmes njërës linjë funksionale, përkatësisht linjës së lëvizjes të anëtarëve të familjes, komunikon drejtpërsëdrejti me katin e dytë të saj, ndërkaq sipas linjës tjetër të lëvizjes së mysafirëve, përkatësisht linjës së veçantë funksionale, komunikon drejpërsëdrejti me shkallët e jashtme të gurta, të cilat të shpinin tek pjesa e oborrit dedikuar për mysafirë.




Kati i parë i kësaj kulle shquhet me një dispozicion funksional dhe përmbajtje të zakonshme. Ky kat i ngërthen: dy qilere, shtëpinë e zjarrit, nevojtoren si dhe korridorin. Të gjitha këto njësi funksionale, përmes korridorit dhe shkallëve karakteristike dykrahëshe komunikojnë drejtpërsëdrejti me përdhesen, përkatësisht me ahurin e kullës, i cili shquhet me përmasa bukur të mëdha. Për rrjedhojë, edhe grazhdi i drunjtë, ndërtuar mbi një murë-parapet të gurtë, me një shtrirje përbri tri faqeve të mureve të ahurit, shquhet me një gjatësi të madhe, më pak të zakonshme.




Përdhesa - ahuri i kullës, përmes portës së bukur karakteristike me hark të dyfisht, komunikon me pjesën intime të oborrit, e cila përmes dyerve të mëdha të oborrit dhe derës së vogël, dedikuar për hyrjen e anëtarëve të familjes, komunikon drejpërsëdrejti me rrugën dytësore të mëhallës së HOXHAJVE.

Marrë në përgjithësi, planifikimine dispozicionit funksional të oborrit të kësaj kulle e karakterizon një shkallë e lartë e zonimit funksional, në kuptim të ndarjes fizike të oborrit në dy njësi të veçanta funksionale. Ky zonim i oborrit mirëfilli plekset me konceptin e tërësishëm funksional të kompleksit banimor të kësaj kulle, e cila më herët e kishte të ndajshtuar edhe shtëpinë e gjatë. Në këtë kontekst, njësia funksionale e oborrit, përkatësisht pjesa e oborrit e shtrirë nga ana ballore e kullës dhe e dedikuar për komunikim të mysafirëve, përmes dyerve të mëdha është e ndërlidhur drejpërsëdrejti me rrugën kryesore. Ndërkaq, pjesa e pasme, apo pjesa intime e oborrit, dedikuar për anëtarët e familjes, po kështu, përmes një palë dyerve të dyta është e ndërlidhur drejpërsëdrejti me rrugën dytësore të mëhallës së zënë ngoje më sipër. Kësaj do shtuar edhe këtë se, mu pranë fasadës ballore të kësaj kulle është ndërtuar kroi i burimit nëntokësor, i cili në rrjedhën e tij merr formën e një përrocke e cila e përshkon gjithë pjesën e përparme të oborrit. Më të njëtën dukuri shquhet edhe pjesa e pasme e oborrit dedikuar për familjarët. Tiparet stilistiko ndërtimore të kullës “Oda e Junikut” Siç thamë edhe më sipër, kjo kullë, për shkak të historisë së saj të bujshme, në periudha të ndryshme kohore pësoi ndryshime. Prandaj, kulla në kohën e ndërtimit, si dhe në fazën e parë të ekzistimit të saj, shkallët njëkrahëshe të jashtme të cilat të shpienin në katin e parë, i kishte të ndërtuara në mënyrë tipike prej konstruksionit të drunjtë. Sheshi i këtyre shkallëve nga dy anët përkatëse rrethohej me perde dërrasash, realizuar sipas një strukture konstruktive dhe formësuese tipike për shkallët e jashtme të kullave të Rrafshit të Dukagjinit. Ky shesh i shkallëve të jashtme, realizuar në formë konsole para portës së bukur harkore të katit të parë, përmes kësaj porte ndërlidhet me krahun e shkallëve të brendshme, të cilat, më tej, të shpien tek divanhanja, përkatësisht tek oda e burrave si dhe tek oda e plakut. Kur flasim për gjendjen burimore të ballinës së kullës “Oda e Junikut” do theksuar se, tiparet stilistike – arkitektonike formësuese të saj shquhen me një strukturim arkitektoniko kompozicional harmonik dhe të baraspeshuar estetikisht.

. Në këtë fazë burimore të ndërtimit, te kjo kullë, në kuadër të strukturimit hapësinor të saj, përveç njësisë kompozicionale të pjesës ballore të dyshekllëkut të drunjtë që paraqitet si motiv kryesor arkitektoniko kompozicional i ballinës, po kështu, në pjesën e poshtme të saj, edhe tërësia kompozicionale e shkallëve të drunjëta, imponohet si njësi kompozicionale jo më pak e rëndësishme. Ngaqë, në tërësinë e formulimit kompozicional të ballinës së kësaj kulle, këto dy njësi kompozicionale të drunjëta më një teksturë të ngrohtë, në mes veti të baraspeshuara estetikisht, më tej, sajojnë një baraspeshë të harmonizuar me pjesën e majtë të ballinës, strukturuar me elemente arkitektonike të gurta me një teksturë kontraste - të ftohtë. Një karakter i këtillë kontrastues i formulimit tërësorë kompozicional dhe estetik kësaj kulle i jep një pamje të theksuar piktoreske. Më tej, në fazën e mëvonshme, me ndërtimin e shkallëve të jashtme prej gurit, identiteti dhe karakteri artistiko formësues i ballinës së kullës “Oda e Junikut” është ndryshuar, krahasuar me tiparet formësuese të ballinës në fazën e saj burimore. Pasardhësit e sotëm nuk janë në dijeni se në ç’kohë u ndërtuan këto shkallë të gurta. Supozohet të jenë ndërtuar pas djegies së pjesë së drunjtë të kullës në një kohë të panjohur. Në këtë kontekst do theksuar se, në një fazë të mëvonshme, pas ndarjes së familjes, përkatësisht pas ndarjes së oborrit, në përdhese të kësaj kulle është kushtëzuar hapja e një porte të re harkore, dhe njëherësh mbyllja e portës së bukur në pozitë burimore. Përveç kësaj, konform parimeve ndërkombëtare për restaurim, diktuar nga kërkesat bashkëkohore të standardeve për banim, katit të parë i është shtuar një dritare harkore për ndriçim dhe ajrosje të qilerit të shndërruar në ambient kuzhine, si dhe dritarja tjetër drejtkëndore, hapur për nevoja të ambientit të ri të banjos.Ndërkaq, fasada lindore e kullës i ka ruajtur tiparet e saj burimore. Në kuadër të strukturimit kompozicional të saj, njësia kompozicionale e dyshekllëkut të drunjtë më një teksturë të ngrohtë, zbatuar në një kontrast ngjyre me ftohtësinë e muraturës së gurtë, kësaj fasade i jep një pamje paksa më të ngrohtë dhe më piktoreske. Për më tepër, po e vrojtuam me një sy analitik dukjen jugore, pastaj dukjen lindore dhe prerjen vertikale të dushekllëkut këndor të kullës “Oda e Junikut”, do të vijmë në përfundime se edhe ky dyshekllëk shquhet me një strukturë konstruktive dhe formësuese të tipizuar, realizuar me një përkujdesje të veçantë estetike. Tektonika e ndërtimit të këtij dyshekllëku këndor, përkatësisht strukturimi i tij arkitektoniko kompozicional, sikundër tek kulla e KUKËLECËVE në Isniq, dhe kulla e Rëxhë ALISË në Deçanine Vjetër, është sajuar përmes formave dhe detajeve të formësuara në një shkallë të lartë artistike, të cilin formësim tanimë e shquan një shprehje stilistike e kristalizuar. Nga hollësitë e rilevimit arkitektonik “in situ” të gjendjes burimore të oxhakut të vatrës të shtëpisë së zjarrit, ndërtuar në katin e parë të kullës së zënë ngoje, mësojmë se me çfarë përkujdesje artistike është formësuar ky oxhak i vatrës. Po kështu edhe derën e odës së burrave, rikonstruktuar sipas një fotografie të ruajtur, e shquan një strukturim kompozicional me tipare të harmonishme dhe elegante. Së fundi të themi se kjo kullë, në kontekst të restaurimit dhe rivitalizimit të saj, karakterizohet me një funksion të dyfisht, që nënkupton se ajo sot shfrytëzohe për banim dhe njëherësh edhe si një muze etnografik privat përregjionin e Junikut.

P

rodukte

L

ajmet më të lexuara

Fillon projektimi i Autostradës së Dukagjinit

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, sot nënshkroi kontratën për hartimin e projektit zbatues për ndërtimin e autostradës Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë – Prizren, në gjatësi 91 kilometra.

Top 10 softuerët e arkitekturës dhe inxhinierisë

Arkitektëve, inxhinierëve dhe dizajnerëve të ndryshëm tashmë puna u është lehtësuar. Ky lehtësim vjen si pasojë e përdorimit të softuerëve të modelimit 3D, që mundësojnë krijimin e një përmbledhje të një ndërtese ose paraqitjen e shpejtë të ideve të reja të projektimit.

Arkitektura nuk është veç profesion, por është edhe mision

Profesori i Arkitekturës në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, Xhelal Llonçari, ka thënë për Ndërtimi.info se arkitektura nuk është vetëm profesion – porse është edhe mision.