ECOWEEK Prishtina 2015 - Dita e dytë

Nga: Ecoweek Prishtina - 2015-09-30

Dita e dytë e EcoWEEK Prishtina 2015, 29 Tetor, në Modelarium nisi herët në mëngjes me punëtoritë e saj. Tutorët dhe pjesëmarrësit u takuan për të diskutuar planin e punës për ditën, dhe në varësi të ndarjeve të grupeve dhe qëllimeve që u vendosën për ditën, nisi puna në Moderalium dhe në terren.

W1 – Projektimi i një shtëpie ekologjike në Kosovë
Tutorë: Gëzim Paçarizi, Arnisa Kryeziu, Brixhita Deda
Pjesëmarrësit kanë vizituar lokacionin dhe gjatë pjesës së parë të ditës kanë kryer analizat urbane dhe klimaterike për të përcaktuar volumet urbane të katër banesave ambjentale që do projektohen gjatë punëtorisë. Pas punës në terren diskutimet dhe shkëmbimet e ideve janë trasferuar në Modelarium. Pas punës me tutorët dhe pasi kanë vendosur kushtet volumetrike, studentët kanë realizuar maketin për
zgjidhjen urbane të propozuar.

W2 - Ndërhyrje Sociale/ Pasive/Radikale
Tutorë: Ajhan Bajmaku, Fitore Koja-Isufi, Miran Mohar
Punëtoria nisi me takimin në Modelarium të pjesëmarrësve me tutorët dhe pas diskutimeve grupore, të gjithë kanë dalë në qytet, për të hulumtuar mbi Prishtinën dhe për të vërejtur ndërhyrjet në qytet. Pas vizitës së qendrës së qytetit, rrethinave dhe pjesës së vjetër të tij, punëtoria ka vazhduar ne studion e Kojës, ku pjesëmarrësit kanë parë filma dokumentarë të akitektëve të ndryshëm, dhe kanë diskutuar mbi pikëpamjet e tyre për të krijuar ata vetë një vizion më të mirë të arsyeve të zgjidhjeve arkitektonike apo informale.

W3 – Projektimi i një qendre informative në Parkun e Gërmisë
Tutorë: Rozafa Basha,Valentina Tahirsylaj
Studentët gjatë ditës së dytë të punëtorisë, kanë marrë detyrën fikse të projektimit dhe kanë kryer kërkime individuale mbi materialet dhe teknologjitë e ndërtimit ekologjike. Pas gjithë kohës së kërkimit dhe përgatitjes së prezantimeve individuale, pjesëmarrësit janë mbledhur për të paraqitur gjetjet dhe propozimet e tyre, duke i diskutuar me tutorët. Kërkimi solli një përmbledhje të mirë të mundësive të ndërtimit me materiale të qëndrueshme, që ekzistojnë në ditët e sotme. Punëtoria ama u përqëndrua në ato materiale dhe mënyra ndërtimi që janë të mundshme në Kosovë dhe më konkretisht në sitin që trajton kjo punëtori, në hyrjen e Parkut të Gërmisë.

W4 - Muralet dhe Qëndrueshmëria
Tutorë: Taki / Taulant Qerkini, Jetik Doli
Studentët dhe artistët, gjatë gjithë ditës, kanë punuar në Modelarium, duke skicuar individualisht dhe në grup, mbi ide të ndryshme artistike të realizimit të muralit. Koncepti i veprës që do të realizohet, është shumë i orientuar drejt arkitekturës dhe qëndrueshmërisë, jo vetëm pse tema është e tillë, por edhe pse muri ku do të kryhet ndërhyrja, është muri i Fakultetit të Arkitekturës, ku edhe do të kryhen edhe projektet e punëtorisë së fundit, për dizajnimin e hapësirës publike përgjatë këtij muri.

W5 - UP­cycling Campus: Dizajnimi dhe ndërtimi i strukturave të vogla në hapësirë publike, duke përdorur materiale të ripërdorshme
Tutorë: Elias Messinas, Teuta Jashari- Kajtazi, Elizabeta Poljoska
Punëtoria është përqëndruar këtë ditë, në skicimin e të gjitha propozimeve ideore që janë diskutuar ditën e parë. Duke analizuar nevojat mbi hapësirat e jashtme, të Fakultetit të Arkitekturës, që ata po trajtojnë, dhe duke marrë pë baze materialet ekzistuese që ata do marrin për t’i ripërdorur, pjesëmarrësit kanë krijuar projekt idetë e para. Propozimet janë skicuar, janë diskutuar dhe janë miratuar apo hedhur poshtë pas shumë diskutimeve të gjata në grup.

Në mbrëmje, patëm kënaqësinë të dëgjonim ligjëratat e arkitektëve francezë Nicola Delon dhe Jean Robert Mazaud.
Nicola Delon, arkitekt themelues i studios “ENCORE HEREUX” (“Ende i Lumtur”), foli për filozofinë e kësaj studio, duke prezantuar projektet kyc, të tipologjive të ndryshme, të gjitha me qasje qëndrueshmërinë. Arkitekti ka spikatur që në moshë të re, me propozimet e studios së tij tejet eksentrike. Zgjidhjet inteligjente dhe me kosto minimale si: Herbes Folles, Petit Bain, Wagon Jeux, Chinoise, Room-Room etj, i prezantuan publikut tonë një kendvështrim të ri mbi arkitekturën dhe dizajnin e qëndrueshëm. Ndërhyrjet arkitektonike e urbane si: Dromad Air, Gourbi Pallace, Mus, Cine 32 etj, hapën një dritare të re për arkitektët e rinj.

Nicola Delon duke ligjëruar në Ecoweek Prishtina 2015

Prezantimi freskues dhe tejet kreativ i Delon u përgëzua pamasë edhe prej Jean Robert Mazaud, i cili ligjëroi pas tij.
J.R.Mazaud e nisi prezantimin e tij duke nënvizuar ligjëratën pararendëse, e mbi të gjitha qasjen që aplikon kjo studio në dizajnim. Arkitekti vijoi pastaj me një prezantim të qyteteve pilot mbi dizajnin e qëndrueshëm. Ai ndau me publikun idetë mbi qytetet në shkallë të madhe, mbi gjeografinë e tyre dhe mbi sektorët kryesorë që ndikojnë këto zhvillime. Ai shtjelloi me rradhë (I)Energjinë, (II)Agrikulturën, (III)Transportin, (IV)Industrinë, (V)Ndërtimin, (VI)Mbetjet. Arkitekti bëri një analizë në prizme të ndryshme të këtyre sektorëve, mënyrës të perceptimit të tyre dhe ndikimit të drejtëpërdrejtë në projektim.

Partnerë të ECOWEEK Prishtina 2015 janë: Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Komuna e Prishtinës, Ambasada Franceze në Kosovë, Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS), Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ), Instituti Amerikan i Arkitektëve (AIA), Knauff, Roche, DETAIL Magazine, UbanMAG, ONUP, LightHouse Prishtina, SHARRCEM, Akull, ECOWEEK dhe Fondacioni Jeshil.

Për informacion të mëtejshëm, vizitoni: www.ecoweek-ks.org ose www.ecoweek.org

P

rodukte

L

ajmet më të lexuara

Fillon projektimi i Autostradës së Dukagjinit

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, sot nënshkroi kontratën për hartimin e projektit zbatues për ndërtimin e autostradës Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë – Prizren, në gjatësi 91 kilometra.

Top 10 softuerët e arkitekturës dhe inxhinierisë

Arkitektëve, inxhinierëve dhe dizajnerëve të ndryshëm tashmë puna u është lehtësuar. Ky lehtësim vjen si pasojë e përdorimit të softuerëve të modelimit 3D, që mundësojnë krijimin e një përmbledhje të një ndërtese ose paraqitjen e shpejtë të ideve të reja të projektimit.

Arkitektura nuk është veç profesion, por është edhe mision

Profesori i Arkitekturës në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, Xhelal Llonçari, ka thënë për Ndërtimi.info se arkitektura nuk është vetëm profesion – porse është edhe mision.